Lidhja e Shkrimtarëve ndëshkonte Agollin dhe mbante me hatër Kadarenë

Shko poshtë

default Lidhja e Shkrimtarëve ndëshkonte Agollin dhe mbante me hatër Kadarenë

Mesazh nga ♛Melody♛ prej Thu May 30, 2013 1:55 am


Valeria Dedaj

-Razi Brahimi, ish-kritik, ish- pedagog e dekan në Institutin e Lartë të Arteve, por dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve qysh në krijimin e saj, tregon në një intervistë për “Shekullin” sesi Komiteti Qendror merrte vendimet për Lidhjen e Shkrimtarëve. Si ka ndikuar Nexhmie Hoxha dhe Ramiz Alia në vendimet e Lidhjes. Çfarë ndodhi me Lidhjen e Shkrimtarëve? Kush ishin të “preferuarit” e Partisë së Punës? Gjithashtu ai shprehet se nuk është e vërtetë, përsa i përket asaj që Bardhyl Londo ka shkruar në “Jeta që na dhanë” botim i “Toenës”, që shkrimtarët punonin me normë.

Zoti Brahimi, të gjithë ja kishin frikën Ramiz Aliasë. Çfarë ndikimi ka pasur ai konkretisht në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve?

Unë kam bashkëpunuar për një periudhë shumë të gjatë me të. Kam përshtypjet më të mira. Mendoj se ka pasur një bashkëpunim të barabartësh në rrahjen e mendimeve. Pastaj për vendimet zyrtare që merrte Ramiz Alia për çështje të ndryshme, apo për çështje të përgjithshme të letërsisë dhe të artit, mendoj se mbase mund të jenë të tijat, por dhe që janë konkluzione të një pune paraprake që bënte aparati i Komitetit Qendror. Atij vetëm sa ja jepnin të gatshme. Duhet mbajtur parasysh se këtu bëhet shtrembërim i realitetit, shfaqet një tendenciozitet negativë. Pasi të gjitha dokumentet e rëndësishme të partisë përveç fjalimeve personale të Enver Hoxhës, përgatiteshin me grupe pune.

Thatë se kishte demokraci derisa shkelje “vijën e partisë”. Ku e kishte cakun kjo vij?

Vija ishte të mos shkoje kundër idealeve të partisë. Kështu ka qenë situata atëherë ne Lidhje. Por nëse Lidhja ka pasur të meta, gabime dhe qëndrime ekstreme këto i ka pasur përpara vitin1950. Po kësaj i vuri vulën në konferencën e tretë të shkrimtareve i dërguari i Komitetit Qendror, Bedri Spahiu. Spahiu përpiqej të dilte i “larë” dhe i komanduar nga të tjerët. Por për atë qëndrim që mbajti në konferencë, ai mban përgjegjësi për ato që ka thënë. Nëse nuk merrte vesh nga letërsia, nuk kishte pse të përzihej në atë punë. Ashtu sikurse nuk merrte vesh nga drejtësia dhe nuk kishte pse të pranonte detyrën e prokurorit në gjyqin pas Luftës. Pastaj të dite dhe të shkruante nëpër gazeta pas ’90-ës se mua më vunë në atë detyrë, por nuk merrja vesh. Nëse nuk merrte vesh, atëherë përse merrje në qafë njerëzit. Për përgjegjësinë që ke në rrafshe intelektuale siç është letërsia dhe arti, nuk mund të fshihesh prapa gishtit. Qofsh i komanduar apo i detyruar. Këtu je ti dhe duhet të jesh ti. Nëse nuk je ti mos u merre me punë intelektuale.

Është folur shumë dhe për rolin e Nexhmie Hoxhës, në Lidhje. Çfarë mund të na thoni për rolin e saj. Si ka influencuar?

Nexhmia ka qenë një grua shumë e qetë. Krejt ndryshe nga Liri Berishova që vinte në mbledhjet tona. Ajo ka qenë drejtore në Drejtorisë e Kulturës dhe mbulonte gjithë sektorin e krijimtarisë letrare dhe artistike. Kur vinte puna për të diskutuar për vepra konkrete ajo mbante qëndrime të ashpra, të cilat sipas mendimit të saj, ishin parimore, por që dhe mua për vete më janë dukur të drejta. Kurse shtypin dhe botimet i kishte përsipër Drejtoria e Propagandave ku ishte përgjegjës Fadil Paçrami.

Ju kujtohet ndonjë rast ku jeni përplasur me Fadil Paçramin?

Kujtoj një rast që patëm një debat në zyrën e Nexhimes, së bashku me Fadil Paçramin dhe Petrit Çaushin, zëvendësin e Nexhmies. Bëhej fjalë për dy vëllime me tregime. Një vëllim me tregime i Dritëro Agollit që u botua dhe u kritikua, madje unë vetë ja kam kritikuar. Pavarësisht se miqësinë me Dritëroin e kam shumë të ngushtë ende dhe sot. Kurse një vëllim me tregime i Ismail Kadaresë që nuk u botua as atëherë dhe as më pas.

Sipas jush, Kadarenë e mbanin me hatër, kurse Dritëron jo?

Kur vinte puna tek vëllimi me tregime i Dritëro Agollit, Fadil Paçrami thotë të çohet e të bëhet karton. Kurse kur vinte puna tek vëllimi me tregime i Ismailit thoshte “dale se këta shkrimtarët e talentuar duhet t'i tolerojmë, duhet të bëjnë dhe gabime, sepse gabimet i korrigjojnë më pas”. Mbaj mend se atëherë i kam thënë se “përse këto të Dritëroit ti bëjmë karton dhe Ismailin ta tolerojmë. Sepse të dy janë të talentuar. Secili nga vëllimet me tregime kanë të mirat dhe të metat e tyre”. Ky lloj diferencimi nuk u bë për shkak të orientimit apo të parimeve socialiste, as për shkak të vijave të Partisë së Punës. Kjo u bë nga pozicionime të ndryshme, nga pikënisje të tjera, në të cilat përzihej dhe meskiniteti.

Po thoni se pas këtij vendimi të Fadil Paçramit fshiheshin të tjera interesa?

Ndonjëherë viheshin në plan të parë dhe parapëlqimet personale. Pavarësisht se kur gjykon për letërsi apo për art, pëlqimi personal nuk duhet të ketë vlerën kryesore. Sepse një poet që shkruan ndryshe nga mënyra që më pëlqen mua, mund të jetë më i madh se një tjetër që më pëlqen mua. Këto diferencime sillnin këto pasoja. Për shembull Ismailin e pëlqente shumë, e adhuronte dhe Todi Lubonja. Kurse Fadil Paçrami sidomos në periudhat e vona u përpoq të shfrytëzonte emrin e Kadaresë, për të arritur ambiciet e veta, autoritariste në fushën e letërsisë dhe të artit, duke thënë kishte me vete një shkrimtar të shquar. Kujtoj se dhe vetë Ismaili kur ka shkruar dhe ka folur në atë kohë, ka thënë se unë kam përmendur 57 emra shkrimtarësh, por emrin e Fadil Paçrami nuk e kam përmendur asnjëherë, duke e vlerësuar si dramaturg. Pra dua të them se dhe pozicionime të tilla ka pasur. Por nëse Todi e adhuronte Ismailin, ai nuk dukej ndonjëherë as për të pirë kafe në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kishte mendimet e veta sesi duhet të zhvillohej arti dhe u mundua ti zbatonte në Radio Televizion. Kurse Fadili ishte ambicioz, që donte medoemos të imponohej politikisht me autoritetin e anëtarit të Komitetet Qendror dhe të sekretarit të partisë së Tiranës. Të imponohej mbi shkrimtarët dhe mbi artistët, por këto ishin dy gjëra të ndryshme. Nëse Todi i mori gjynahet me vete. Fadil Paçrami krijoi një grup me një veprimtari të organizuar. Kjo ishte e palejueshme për një anëtar të Komitet Qendror që vepron kundër vijës së partisë së vetë. Kjo krijoi një lidhe të sëmurë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Unë them se nga pikëpamja politike këta njerëz bënin dëme të madha sepse i jepnin vetes të drejtën të flisnin me një emër që nuk e përfaqësonin realisht, të flisnin në emrin e Partisë së Punës. Përndryshe ka pasur dhe të dënuar dhe me burg politikë, të cilët janë nderuar dhe janë çmuar. Ajo që dua të them është se këta njerëz, këta gurë apo guriçka që kishin zënë vende aty këtu. Bënin dëm dhe krijonin përshtypje shumë ta gabuar me njerëzit që ishin të ndrojtur që tërhiqeshin dhe që thyheshin. Por po të mos kishte njeriu mizën nën kësulë, sigurisht me atë rezervën brenda sistemit nuk kishte pse të druheshe

“Londo gënjen, shkrimtarët nuk kishin asnjë normë”

Sa e vërtetë është ajo që Londo shkruan se “shkrimtarit i kërkonin të njëjtën normë si ajo e fshatarit, i cili kishte gjithë jetën që merrej me atë punë”?

Është gënjeshtër. E para e punës nuk është intelektuale të flasësh kështu. Sepse bujku në arë punon për të nxjerrë bukën e gojës.

Por a kishte realisht një normë që i përcaktohej shkrimtarit?

Atëherë qenka më e rëndë se çfarë thashë unë. Nuk është fare intelektuale në shtrimin problemit. Sepse bujku punon për të nxjerrë bukën, për të mbajtur familjen. Shkrimtari e zgjedh vetë zanatin dhe merr përgjegjësinë për veprën që çon për botim. Është krejtësisht personale e tij. Nuk të detyron njeri të bëhesh shkrimtar, nuk të detyron njeri të botosh roman apo të botosh poema. Ty të shkrepet të bësh roman, bëj roman, të shkrepet të bësh poemë, bëj poemë. Ti mban përgjegjësi për atë që ke dërguar në botim. Kështu që nuk mund ta quash komandim. Komandim është komandë, por jo t'u japësh leje krijuesve ti paguash dhe pa punuar. Mos më lartë se rroga që merrje pa punuar, për të pasur lehtësira në të shkruar. Ky nuk ishte komandim. Sepse nuk të thoshte se meqenëse po të jap gjashtë muaj leje krijuese, pas gjashtë muajsh duhet të dorëzosh romanin. Por me këtë leje mund të bëje çfarë të doje, brenda atyre jashtë muajve. Askujt nuk i është kërkuar llogari dhe aq më pak ti jetë thënë kthe paratë se nuk ke bërë gjë. Të gjithë kanë marrë leje krijuese sa janë dendur. Ka shkruar ai që ka dashur dhe që ka pasur sukses. Komandim është të jesh shkrimtar i lirë dhe të marrësh?! Nuk është komandim, por është lehtësim nga ngarkesat e tjera për të zhvillosh krijimtarinë.

Londo, përmend rastin e Lazri Stanit me Luljeta Lleshanakun. A ndikonte Lidhja në vendimet personale të shkrimtarëve?

Ato janë me të vërtetë qesharake. Lidhja e Shkrimtarëve ka hequr dorë nga çdo formë veprimi të drejtpërdrejt mbi letërsinë që në vitin ’50. Sepse deri në ’50-ën të gjithë librat që botoheshin pesë apo gjashtë që ishin të gjithë, më parë kalonin nëpërmjet Lidhjes së Shkrimtarëve. Atëherë kishte sanksione, sepse kishte disa shefa. Një shef ishte i prozës, Sterjo Spase. Ai mund t'i thuash që ka anuar nga ballist dhe jo nga partia komuniste gjatë Lidhjes, por ishte shef sepse ishte një prozator i talentuar. Shef i dramës ishte Kolë Jakova, i poezisë Andrea Vathi etj. Por ata vegjetonin dhe “ngrohin vezët, si klloçkat” në zyrë, merreshin me llafe e muhabete. Por për këtë nuk është faji i tjetërkujt. Por që nga viti ‘51 kjo praktik u suprimua. Më pas librat shqyrtoheshin në shtëpitë përkatëse të shtëpive botuese. Lidhja nuk kishte më punë, ajo merrej me krijimtarinë vetëm pasi botohej. Merrej me dokumentin letrar, jo me dorëshkrimin. Kështu që nuk kishte mundësi të të impononte. Ka pasur dhe njerëz që kanë spekuluar me detyrat që kishin në Lidhje, përgjithësisht njerëz pa personalitete dhe të rëndomtë nga pikëpamja artistike.

Keni ndonjë rast që ju e keni ndihmuar?

Ka pasur të rinj që sapo hynin në letërsi dhe kërkonin përkrahje nga njerëz që kanë ushtruar një ndikim të drejtpërdrejtë. Për shembull unë kam dhe njerëz që ende më dërgojnë të fala. Sepse për të shkruar shkollën e lartë duhet të kishe një mesatare të lartë. Kishte të talentuar, apo dhe shpresëdhënës që kishin mesataren e ultë, të cilët unë i ndihmoja të bënin një “librushkë” me 20 vjersha, ndikoja dhe në shtëpinë botuese që për inkurajim t’ua botonin. Kurse Dritëroi u jepte një vërtetim se kishin talent prandaj mund të vazhdonin Fakultetin e Gjuhë Letërsisë. Kështu kanë mbaruar disa. Këto forma qoftë për mirë apo për keq, i kemi bërë që mos i “thyenim” njerëzit apo tua bënim “gogol” sistemin dhe Partinë për injorancë.

“As përbërja e Partisë së Punës nuk ishte komuniste”

"Nëse Bardhyl Londo nuk ka botuar çdo gjë në gazetën “Drita”, në emër të kujt e ka bërë"?!

Përse u përça Lidhja e Shkrimtarëve?

Nga përvoja që kam pasur në Partinë e Punës dhe në letërsi, apo dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve etj. Është se jo vetëm kolektiviteti i shkrimtarëve dhe artistëve, por dhe vetë përbërja e Partisë së Punës, nuk ishte komuniste në kuptimin e vërtet të fjalës. Por ashtu sikurse hynë në luftë ata që ishin trima dhe pse kishin 100 vese çanin sepse kishin trimëri. Gjithashtu dhe në letërsi çan dhe njerëz që në fillim u treguan asocial me shpirt për luftën dhe për Partinë. Por ata që realisht nuk ishin talente, do të shkonin deri në një farë vendi dhe do të ngecnin. Ata ishin ata që rrëzoheshin. Prandaj elementi mikroborgjez në profesionet individuale ka terren më të lirë për tu shfaqur, ashtu sikurse në krijimtarinë letrare dhe artistike. Ky element në letërsi ka luajtur rol shumë negativ për mendimin tim, sepse këtu fillojnë ambiciet etj. Më kujtohet se njëherë, një vjeshtor që nuk mund ta quaj poetë, më tha se ti boton Ismail Kadarenë, por unë kam shkruar përpara Ismail Kadares.

Po shkalla e ambicies midis të talentuarve si ishte?

Kështu fillonte dhe ambicia midis të talentuarve me njëri tjetrin. Sepse këtu ushqeheshin dhe krahët që luanin një rol negativ. Dritëro Agolli apo Ismail Kadareja, kush është më i madh? Dhe pse se secili ka rolin e vetë, ndoshta një orë e pesë, një orë pa pesë. Njëri në letërsinë popullore, tjetri në letërsinë moderne kanë dhënë kontributin e tyre. Prandaj pse duhet të ndaheshin si në fushën e futbollit dhe në letërsi.

Ju mendoni se këto ambicie çuan në prishjen e Lidhjes së Shkrimtarëve?

Sipas mendimit tim, të gjitha këto kanë influencuar. Në mënyrë të veçantë dhe shumë rëndë Bardhyl Londo këtu duhet të bënte analizë, të nxirrte pastaj dhe përgjegjësitë e veta. Sepse nëse Bardhyl Londo nuk ka botuar çdo gjë në gazetën “Drita”, në emër të kujt e ka bërë? Mund të thotë në emër të Partisë se ishte i komanduar, por unë mendoj se jo, unë them se nuk i ka botuar ai që qenë kryeredaktor. Sidomos pas Plenumit IV, pati një fazë që u shfaqën pakënaqësitë kundër të talentuarve. Këtu u munduan të vënë përpara dhe Ismail Kadarenë me një diktim denigrues që u bë në gazetën “Zëri i Rinisë”. Por duhet bërë dallimi për dënimet e karakterit moral. Këto nuk i përfill sepse njeriu duhet që ti marrë parasysh se ka të bëjë me veprime të drejtpërdrejta zyrtare. Por përsa u përket dënimeve me burg, nuk e di nëse ndonjë shkrimtar, përveçse mikut tim të ngushtë dramaturgut Minush Jero, i cili ishte i talentuar, por nuk e di pse u dënua.

Po thoni se nuk ka pasur asnjë vendim gjyqësor që të ketë dënuar një shkrimtar me burg?

Shikoj se dalin shumë e thonë se më burgosën sepse shkrova disa vjersha. Por hajde ta marrim atë dosjen dhe të shikojmë nëse je dënuar për vjersha apo jo. Vjersha apo vepra letrare për mendimin tim mund të të merrej si një provë anësore si një dorëshkrim, por vetëm kaq. Për më tepër se kaq nuk besoj se ka vlejtur. Pastaj nëse ka spekuluar me vijën e Partisë është tjetër gjë. Por nëse unë të kam recensionuar nuk mund të thuash se u dënova për këtë. Unë them se ky është turp, madje mund të them se është dënuar pa të drejtë, por jo për këtë. Sot këtu ka shumë abuzime. Nuk dua që ti jap bisedës karakter politikë as të majtë dhe as të djathtë. Këtu ka shumë gënjeshtër, ka shumë shtrembërim të së vërtetës. Por po u more me burgun aq sa të shkruash se “engjëlli u fut në skëterrë”, atëherë skëterra është skëterrë. Por engjëlli u fut në skëterrë duhet të më tregosh se vërtetë ke qenë engjëll që gabimisht u fute në skëterrë. Por tani pas kaq vitesh më del se ke qenë armik i diktaturës komuniste, madje e thua vetë. Nga një anë mburresh dhe i bie gjoksit duke thënë se kam qenë armik, nga ana tjetër thua kam qenë i dënuar pa faj. Por njëra nga të dyja mund të qëndrojë.
/shekulli



avatar
♛Melody♛



Shteti Shteti :

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

Shiko profilin e anëtarit http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi