Erkand Qerimaj: Jam i dashuruar dhe ndihem gati për një tjetër medalje

Shko poshtë

default Erkand Qerimaj: Jam i dashuruar dhe ndihem gati për një tjetër medalje

Mesazh nga ♛Melody♛ prej Tue Sep 10, 2013 9:41 pm

Është mësuar të thyejë rekorde, por jo rregulla, edhe pse vitin e kaluar pas rezultatit pozitiv në testin antidoping rrezikoi karrierën, kur sapo ishte shpallur kampion Europe në Turqi. E tashmë, pas një periudhe të vështirë që ka kaluar pas mediatizimit të zhurmshëm dhe përgjysmimit të dënimeve, shkodrani Erkand Qerimaj është gati për një fillim të ri në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, në tetor, në Poloni. Edhe pse merret me sport, jetën nuk e sheh aspak si sport. Strikt në regjimin e tij dhe ndërkohë aspak i ftohtë si hekurat që ngre peshë, për të shprehur emocionet. Pohon se ka rënë në dashuri dhe se ndihet i plotësuar. Si një 25-vjeçar karrierist, ai tregon për këtë çerek shekulli të jetës së tij dhe vitet që do vijnë pas.
Po përgatitesh për Kampionatin Botëror, që mbahet muajin tjetër në Poloni. Ky është rikthimi yt i parë pas eksperiencës së keqe vitin e kaluar. Kujtojmë që je përlotur atëherë, tashmë si do të të shohim në këtë sfidë të re?
Kjo është sfida e re e më e rëndësishme për momentin, duke pasur parasysh që kalova një periudhë shumë të vështirë për diçka që nuk ishte faji im, dhe që m’u desh të hapja edhe proces gjyqësor në Gjykatën Sportive. Në fund u përgjysmuan të gjitha vendimet ndaj meje dhe mora pafajësi nga gjykata për atë lloj vitamine, që ishte e ndaluar të përdorej vetëm ditën e garës, por që unë duhet të kisha të paktën një mjek pranë që të kujdesej për këtë pjesë. Ishte si një ëndërr e keqe. Tani kaloi gjithçka dhe po mendoj vetëm për rezultatet në vijim dhe medalje të tjera në garat e ardhshme.
Vitin e kaluar u shpalle kampion Europe në peshën 77 kilogramë, të fituar në Antalia të Turqisë. Këtë vit cili është rekordi që do kapësh?
Do mundohem të thyej rekordet e mia dhe të arrij një rezultat të lartë në Botëror. Por unë gjithmonë them ”Kismet!”, sepse asnjëherë nuk u dihet garave.
Në karrierën tënde numëron më shumë medalje në Shqipëri. Cila është jeta që bën si një sportist me emër? Sa para fiton dhe si i menaxhon?
Jeta ime është normale, pra jo me shpenzime të mëdha. Të ardhurat nuk janë të mjaftueshme për një sportist me medalje ndërkombëtare, duke pasur parasysh që humb gjithë rininë në stërvitje. Por shpresojmë që me ndryshimin e qeverisë të ketë ndryshime për mirë edhe në këtë aspekt.
Rivali yt më i fortë në peshëngritje cili është dhe famën e kujt do të dëshiroje të arrije?
Rivali im më i fortë është shtanga, pasi gjithmonë llogaritë i bëj me të dhe me veten time për të arritur sa më lart, aty ku dhe i kam mundësitë. Rivalët nuk më interesojnë, e rëndësishme është të jap maksimumin vetë për veten time pikë së pari, për famën e sportistëve tanë që garuan për Greqinë, Pirro Dhima, Luan Shabani dhe të vlerësohem nga shteti shqiptar si u bë vlerësimi i tyre nga shteti grek.

 
Dimë që jashtë sportit të pëlqen muzika, makinat sportive, motorët e ujit. Mund të na zbulosh më shumë çfarë muzike pëlqen, cila është shpejtësia e lakmuar me makinë dhe si argëtohesh në plazh?
Po, më pëlqejnë shumë motorët e ujit, makinat sportive, muzika hip-hop, house, dhe këngët e fundit zakonisht që bëhen hite. Në plazh varet, sepse argëtimet e mia janë të ndryshme. Mund të bëj ndonjëherë xhiro me motor lojë letrash me miqtë, apo thjesht të kaloj kohën me të dashurën duke shijuar ujin, detin dhe duke bërë not.
Se çfarë fshihet pas pamjes së fortë, mund ta kuptonim nëse mund të flisje për ndjenjat. Pra, je i dashuruar?
Po, kam të dashur dhe ndihem i dashuruar. Ajo më ka qëndruar afër në momentet më të bukura e po ashtu edhe ato më të vështira të jetës sime. Kemi një lidhje serioze të dy, kalojmë kohë shumë bashkë dhe më bën të ndihem mirë edhe në qoftë se kam kaluar një ditë të mërzitshme. Më tepër nuk mund të them për momentin.

Je vetëm 25 vjeç, si e imagjinon veten 35 po 45?…
Më duhet të hamendësoj… Por mendoj që do të kem krijuar familjen time atëherë dhe të kem një jetë normale. Më tepër do ia lë të ardhmes, sepse jeta është e çuditshme dhe me surpriza. Çfarë të ketë shkruar Zoti!
Cili është regjimi yt? Sa orë fle, sa orë stërvitesh dhe sa orë argëtohesh?
Dy orë stërvitje zakonisht. Por para garave deri në 5-6 orë në 3 ditë të javës dhe 3 ditë të tjera nga 2 orë, ndërsa të dielën pushim. Gjumë bëj 8-9 orë. Orët e argëtimet nuk i kam numëruar, por nuk janë të shumta në periudha garash.
Kur e tepron me alkoolin, po me gjumin?
Me alkoolin në festat e fundvitit, kurse me gjumin më shpesh se lodhem në stërvitje (qesh).
Në pamjen e peshëngritësit të fortë fshihet një zemër e butë apo e fortë po ashtu?
Po, mund të them që e butë për njerëzit që dua shumë, dhe nëse shoh njerëz që janë në vështirësi. Po e fortë në rastet kur duhet të jetë.
Një femër, që të të tërheqë vëmendjen ty, si duhet të jetë në pamje dhe tip?
Duhet të jetë inteligjente, elegante dhe të sillet mirë. Kryesorja të më bëjë të ndihem mirë dhe t’ia kaloj bukur. Por në këto raste nuk ka receta, këto janë thjesht disa nga karakteristikat që më pëlqejnë. E rëndësishme është të ndihesh mirë me njeriun e zemrës, pra të kesh kombinim.
Veshja më e shtrenjtë që ke në gardërobë, po dhurata më e kushtueshme që ke bërë?
Veshja më e shtrenjtë në gardërobë janë një palë xhinse që kam blerë në Paris dhe që kanë kushtuar 200 euro. Nuk jam i fiksuar pas veshjeve të shtrenjta. Dhurata më e shtrenjë që kam bërë, ka qenë një parfum original.
Ke një trup të stërvitur, po mendjen sa të stërvitur e ke?
Aq sa trupin, po mendja nuk dallohet me një të parë si trupi. Duhet ta njohësh njeriun që ta kuptosh. Pretendoj që e stërvis edhe mendjen po ashtu si trupin.



avatar
♛Melody♛



Shteti Shteti :

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

Shiko profilin e anëtarit http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi